Wednesday, January 19, 2011

Blero dhe Besa gashi






BLERO DHE BESA GASHI

Bukuroshja jonë kosovare, Besa Gashi, së fundi është parë shumë nëpër faqet rozë të gazetave tona. Flitet se ajo është në lidhje me këngëtarin e njohur Blero. Në shumë vende ata janë së bashku, mirëpo Besa thotë se nuk ka asgjë më shumë mes tyre. Për këtë dhe projektet e saj flet Besa në intervistën për ''Kosova Sot".

''Kosova Sot": Prania juaj afër Bleros, së fundi ka zgjuar kureshtjen e opinionit, ka diçka mes jush?
Besa Gashi: Mes meje dhe Bleros nuk ka asgjë më shumë se shoqëri. Bleron e kam vetëm shok dhe dalim vetëm në mënyrë shoqërore, dalim nëpër kafene, qëndrojmë së bashku, mirëpo nuk ka diçka më shumë se shoqëri.

Më interesonte paraja

''Kosova Sot'': Si ju ka lindur shoqëria?
Besa Gashi: Me Bleron njihemi para një viti. Na ka pëlqyer shoqëria dhe vazhdojmë të jemi vetëm miq. Ndoshta fakti që më lidh më shumë është edhe bashkëpunimi me këngën e fundit ''Kam mall'', në të cilën këngë kam marrë pjesë në videoklip.

''Kosova Sot": Keni pasur dëshirë të jeni në njërin nga klipet e Bleros, si erdhi ky bashkëpunim?
Besa Gashi: Ftesë për të marrë pjesë në këtë videoklip kisha nga Blero, të cilën ftesë nuk mund ta refuzoja, sepse dëshiroja të isha në këtë klip. Përveç dëshirës, mua edhe më paguhej. Ishte thjesht një pjesëmarrje imja që më lidhte edhe me profesionin tim, atë të modeles. Jam e kënaqur që kam bashkëpunuar me Bleron dhe jam e privilegjuar që kam marrë pjesë në këtë klip.

''Kosova Sot": A mund të ndodhë që shoqëria juaj me Bleron të shndërrohet në diçka më shumë?
Besa Gashi: Jo, nuk mund të ndodhë, sepse ne e respektojmë njëri-tjetrin vetëm si shokë dhe asgjë më shumë. Përderisa ne jemi vetëm shokë, atëherë nuk mund që shoqëria jonë të shndërrohet në dashuri. Edhe pse ne jemi në shumicën e rasteve bashkë nëpër kafene, kjo mund të zgjojë kureshtjen e publikut, mirëpo e vërteta është se nuk ka asgjë më shumë mes nesh.
''Kosova Sot": Me çfarë jeni duke u marrë kohëve të fundit?
Besa Gashi: Kohëve të fundit më shumë jam duke u marrë me provimet në fakultet. Tani jam në vitin e dytë dhe më duhet më shumë përgatitje. Tani për tani i kemi disa projekte me shoqatën time, mirëpo nuk mund të punojmë derisa të bëjmë një ndërrim të lokalit. Përveç kësaj, shpresoj të nis punën në ndonjë bankë, meqë jam duke studiuar në këtë drejtim dhe më pëlqen të punoj në bankë.

Bukuria në konturat e artit

''Kosova Sot": Do të vazhdoni të merrni pjesë ende nëpër spektakle bukurie?
Besa Gashi: Padyshim se unë do të vazhdoj të marr pjesë në çdo spektakël ku më bëhet ftesa. Modelimin e kam hobi. Edhe pse jam e angazhuar në një drejtim tjetër, tani për tani modelimin nuk e lë anash. Është një punë që unë e dua dhe më pëlqen, sepse modelimi nuk të merr shumë kohë dhe përveç tij mund të merresh edhe me diçka tjetër.
"Kosova Sot": Cilat janë sukseset që keni arritur deri më tani?
Besa Gashi: Padyshim që suksesi im më i madh ishte në ''Miss Kosova", ku nga një juri shumë profesionale u shpërbleva me tri çmime. Përveç kurorës së "Miss Kosovës", mora edhe dy çmime të tjera ''Miss Fotozhenija" dhe ''Top Model of the World". Me këto rrugët e mia sikur morën një kah krejt ndryshe, andaj është një privilegj shumë i madh të mbash për një vit kurorën e ''Miss Kosovës".

"Kosova Sot": Sa po e keni vështirë të merreni me modelim?
Besa Gashi: Në një shtet, ku kriza ekonomike është mjaft e vështirë, pa dyshim që shumë aktivitete artistike lihen si të dorës së dytë apo të tretë. Megjithëkëtë, unë mendoj që nuk duhet të mbeten anash, sepse edhe bukuria hyn në konturat e artit dhe kulturës shqiptare.

"Kosova Sot": A synoni pjesëmarrjen tuaj nëpër spektakle bukurie jashtë vendit nëpër Evropë?
Besa Gashi: Po, tani unë veç i kam hyrë kësaj rruge dhe sado që

është e vështirë nuk do të ndalem. Gjatë këtij viti kam pasur disa oferta dhe udhëtime nëpër diasporë, si Gjermani, Dubai etj.

"Kosova Sot": Çfarë pretendoni për të ardhmen?
Besa Gashi: E ardhmja ime prioritare është fakulteti, t'i përfundoj provimet me kohë. Nëse më mbetet kohë, mos t'i lë anash edhe aktivitetet e mia rreth modelimit, sfilatat që patjetër tani janë bërë pjesë e jetës sime.

''Kosova Sot": Si e kaloni kohën e lirë, merreni me ndonjë aktivitet të lirë?
Besa Gashi: Kohën e lirë zakonisht e kaloj duke lexuar ndonjë roman. Tash së fundi jam duke lexuar librin ''Ndriçimi i mendjes", i cili po më pëlqen shumë. Sa u përket aktiviteteve të lira sportive, tani së fundi jam duke u marrë me fitnes.

"Kosova Sot": Sa i kushtoni rëndësi dukjes suaj?
Besa Gashi: Patjetër që jam e përqendruar rreth dukjes sime, sidomos tani që shumica më njohin dhe nuk mund të dal dosido. Dukjes është mirë që t'i kushtojnë rëndësi të gjithë femrat, sepse dukja paraqet personalitetin e çdo femre.

''Kosova Sot": Ndodh të mbani dietë?
Besa Gashi: Asnjëherë nuk kam pasur problem me kilogramë të tepruar, kjo për faktin se i kushtoj rëndësi ngrënies së ushqimit. Dietë nuk mbaj, por nuk e teproj me ushqime kalorike që shtojnë peshë trupore.

''Kosova Sot": Ndonjë mesazh për fund?
Besa Gashi: I përshëndes të gjithë adhuruesit e mi kudo që janë dhe ''Kosovës Sot" i dëshiroj punë të mbarë

1 comment: